Në prag të Krishtlindjes, predikuesi ungjillor amerikan Franklin Graham, u bëri thirrje amerikanëve që të lexojnë dhe të studiojnë Biblën. Gjatë një interviste më 20 nëntor 2026, në emisionin The Five të televizionit Fox News, Graham u pyet se cila ishte sfida më e madhe shpirtërore me të cilën përballen amerikanët.
Ai u përgjigj: Sfida më e madhe është se kemi nevojë për Zotin dhe i kemi kthyer shpinën Atij.
Graham theksoi se shoqëria amerikane po rend pas kënaqësive të kësaj bote, duke lënë pas dore marrëdhënien me Zotin. Për këtë arsye, ai i inkurajoi qytetarët që t’i rikthehen Fjalës së Perëndisë, duke e lexuar dhe studiuar Biblën.
Gjatë intervistës, Franklin Graham drejtues i organizatës humanitare Samaritan’s Purse, foli gjithashtu për nismën humanitare të Krishtlindjes, Operation Christmas Child, e organizuar nga Samaritan’s Purse. Sipas tij, objektivi për këtë sezon është grumbullimi dhe shpërndarja e 13 milionë kutive me dhurata për fëmijët në nevojë në mbarë botën.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që përgatisin një kuti dhuratash që të luten për fëmijën që do ta marrë atë, duke theksuar se kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me dhuratat materiale, por edhe me përçimin e dashurisë së Perëndisë dhe mesazhit të Krishtlindjes.














