Një ekip studiuesish që po heton formacionin Durupinar në Turqinë lindore, një vend i lidhur prej dekadash me kërkimet për Arkën e Noes, ka njoftuar rezultate paraprake të datimit të dy mostrave druri. Sipas tyre ato janë rreth 4,300 vjet të vjetra.
Më 21 nëntor 2026, Andreë Jones, themelues i ekipit Noah’s Ark Scans, deklaroi në një intervistë për Fox News se dy mostra të përshkruara si dru i djegur janë analizuar me metodën e karbonit-14 në një laborator amerikan. Sipas rezultateve të bëra publike, mostrat datojnë afërsisht në periudhën 2400-2200 para erës sonë.
Dy copat prej druri, u zbuluan rreth 9 metra nën sipërfaqen e formacionit Durupinar, pranë malit Ararat, në provincën Agri të Turqisë lindore.
Kërkimet në këtë zonë u zhvilluan nga 28 qershor-30 shtator 2026. Në ekspeditë morën pjesë rreth 20 studiues nga 5 vende.
Sipas ekipit Noah’s Ark Scans, rezultatet e para përfaqësojnë vetëm një pjesë të analizave të kryera. Studiuesit janë ende në pritje të rezultateve nga laboratorët në Zvicër dhe nga Këshilli i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike i Turqisë.
Vendi ku u gjetën copat e drurit, njihet si formacioni Durupinar dhe ka një pamje të pazakontë në formë varke që besohet se mund të lidhet me Arkën biblike të Noes.
Në Bibël thuhet se arka e Noes, u zhvendos në malet e Araratit në Turqi pas një përmbytjeje 150-ditore që pushtoi Tokën dhe mbuloi e mbyti çdo gjallesë që nuk ishte në bordin e anijes prej druri.














