Në Mbretërinë e Bashkuar mbi 2 mijë kisha janë regjistruar për të marrë pjesë në fushatën “Shine Your Light”, e cila synon të çojë këngët e Krishtlindjes dhe mesazhin e Ungjillit në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare. Aktivitetet kryesore të fushatës do të zhvillohen nga 11 deri më 13 dhjetor 2026.
Në edicionin e katërt të kësaj nisme, organizatorët synojnë të mobilizojnë 500 mijë të krishterë nga 5,000 kisha, me qëllim që mesazhi i Krishtlindjes të përcillet te 5 milionë njerëz. Kishat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të organizojnë aktivitete edhe pas fundjavës kryesore, deri në ditën e Krishtlindjes.
Këtë vit, fushata “Shine Your Light” do t’i kushtojë vëmendje të veçantë personave që rrezikojnë të përjetojnë izolim gjatë festave. Organizatorët u bëjnë thirrje kishave që në aktivitetet e tyre të përfshijnë njerëzit që jetojnë në vetmi ose pa strehë, të burgosurit, refugjatët dhe azilkërkuesit.
Pastori Jonathan Oloyede, themeluesi i nismës, shprehu shpresën se takimet dhe aktivitetet e Krishtlindjes do të shërbejnë për të krijuar lidhje të qëndrueshme, të cilat kishat do të mund t’i kultivojnë edhe gjatë vitit 2027, veçanërisht me personat që përballen me vetminë dhe izolimin social.















