Dita e Falenderimeve në SHBA: Kur Lincoln i bëri thirrje kombit të falenderonte Zotin mes Luftës Civile

Dita e Falenderimeve në SHBA festohet këtë vit të enjten, më 26 nëntor 2026.  Kjo ditë mbart një histori të veçantë për kombin amerikan.

Më 3 tetor 1863, në kulmin e Luftës Civile Amerikane, presidenti Abraham Lincoln u bëri thirrje amerikanëve që të enjten e fundit të nëntorit t’ia kushtonin falënderimit dhe lavdërimit të Zotit.

Në shpalljen e tij, ai i përshkroi bekimet që gëzonte vendi si dhurata nga Zoti dhe u bëri thirrje amerikanëve të mos harronin ata që po vuanin pasojat e luftës. Ai u kërkoi gjithashtu të luteshin për shërimin e plagëve të kombit dhe rikthimin e paqes.

Shpallja e Lincolnit shënoi fillimin e traditës së kremtimit të përvitshëm kombëtar të Ditës së Falënderimeve. Më vonë, në vitin 1941, Kongresi amerikan miratoi një rezolutë që caktoi të enjten e katërt të nëntorit si datën zyrtare të festës federale. Presidenti i asaj kohe, Franklin D. Roosevelt e nënshkroi rezolutën më 26 dhjetor të atij viti.

Me rastin e festës, miliona amerikanë udhëtojnë për t’u mbledhur me familjarët dhe miqtë. Në tryezën tradicionale zakonisht nuk mungojnë gjeli i detit i pjekur, pureja e patateve, salca e boronicave të kuqe dhe ëmbëlsira me kungull.

Në shumë familje, vakti nis me një lutje falenderimi ndaj Zotit. Një zakon tjetër është që secili të tregojë me radhë për çfarë ndihet mirënjohës. Disa kisha mbajnë shërbesa të posaçme falenderimi ndërsa organizatat bamirëse dhe vullnetarët shpërndajnë ushqime dhe vakte për njerëzit në nevojë.

Dita e Falënderimeve mbetet një nga festat më të rëndësishme në SHBA, duke ndërthurur traditën familjare, besimin dhe solidaritetin.

Prosit Librin Online