Zbulim i rëndësishëm arkeologjik në Itali: Gjendet kisha e krishterë e përmendur 1,600 vjet më parë

Arkeologët në Italinë veriore kanë lokalizuar ato që besohet se janë mbetjet e një kishe të hershme të krishterë, të përmendur nga Shën Jeronimi në vitin 396 pas Krishtit, si dhe një strukturë pranë saj, e cila mendohet se ka shërbyer si rezidencë e peshkopit në qytetin antik të Altinos.

Këto zbulime të rëndësishme në Tetor 2026, në Altino u njoftuan nga Universiteti Ca’ Foscari i Venecias. Gërmimet e kryera gjatë shtatorit dhe tetorit 2026, së bashku me dëshmitë e mbledhura në vitin 2025, u mundësuan studiuesve të identifikonin struktura që më parë njiheshin kryesisht përmes dokumenteve të shkruara.

Ekzistenca e kishës ishte dokumentuar në shkrimet e Shën Jeronimit, një teolog dhe studiues i shquar i krishterimit të hershëm. Ky zbulim shënon një hap të rëndësishëm në nxjerrjen në dritë të historisë së hershme të krishterimit.

“Për herë të parë, mund të themi me një shkallë shumë të lartë sigurie se ku ndodheshin kisha dhe pallati i peshkopit të Altinos. Burimet e shkruara na tregonin se ato duhej të kishin ekzistuar; tani kemi dëshmi arkeologjike që e mbështesin këtë”, deklaroi Diego Calaon, drejtuesi i gërmimeve të universitetit.

Në Letrën 60, drejtuar Heliodorit, i konsideruar si peshkopi i parë i Altinos, Jeronimi përshkruante përkushtimin e një prifti të ri, të quajtur Nepotian, për mirëmbajtjen e kishës. Letra, e shkruar në vitin 396 pas Krishtit, përmend disa elemente të ndërtesës, përfshirë altarin, muret, dyshemetë, hyrjet e mbuluara me perde dhe enët e shenjta.

Sipas studiuesve, ky përshkrim historik përputhet me periudhën e përafërt të ndërtimit të kishës. Ndërtesa e identifikuar së fundmi përbëhet nga një sallë drejtkëndore, afërsisht 30 metra e gjatë dhe 20 metra e gjerë.

Dëshmitë arkeologjike e datojnë ndërtimin e saj midis fundit të shekullit IV dhe gjysmës së parë të shekullit V. Studiuesit e universitetit shpjegojnë se këto karakteristika ngjajnë me traditat e ndërtimit të kishave të hershme të krishtera, të gjetura edhe në zona të tjera të rajonit verior të Adriatikut.

Prosit Librin Online