Nuk ka arsye për panik nga varianti PJ.2.1 i koronavirusit qe po qarkullon. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po e monitoron variantin dhe në vlerësimin fillestar të publikuar më 19 nëntor 2026, e cilëson të ulët rrezikun shtesë për shëndetin publik në nivel global, bazuar në të dhënat e deritanishme.
Ky varianti, që rrjedh nga linja JN.1, u zbulua fillimisht në provincën Ontario të Kanadasë në maj 2026. Më pas, raste janë konfirmuar edhe në SHBA, Spanjë dhe Francë.
Një studim i publikuar më 24 tetor në revistën Journal of Infection tregon se PJ.2.1 nuk ka shfaqur aftësi të theksuar për t’iu shmangur antitrupave te personat e vaksinuar me vaksinën e përditësuar kundër variantit LP.8.1. Gjithashtu, deri tani nuk ka prova se shkakton simptoma më të rënda apo komplikacione të ndryshme nga variantet e tjera.
Shenjat e mundshme të infeksionit përfshijnë: Temperaturë dhe kollë, dhimbje fyti, lodhje dhe dhimbje muskujsh, ndryshime në nuhatje ose shije, të përziera dhe vështirësi në frymëmarrje.
Ekspertët këshillojnë kujdes të shtuar për të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar, pasi kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar komplikacione.
Ajrosja e ambienteve të mbyllura dhe respektimi i rregullave të higjienës respiratore mbeten ndër masat kryesore për t’u mbrojtur.














