Organizata Global Christian Relief shpërndau, përmes partnerëve të saj lokalë, mijëra Bibla për të krishterët e përndjekur në Nigeri.
Nigeria renditet e para në botë për vrasjet, e dyta për rrëmbimet dhe sulmet fizike dhe e treta për zhvendosjet. Të krishterët që largohen për t’i shpëtuar përndjekjes nga terroristët shpesh mbeten pa asgjë, nëse kanë fatin t’u mbijetojnë sulmeve të tilla.
Organizata Global Christian Relief shkruan se partnerët e tyre në terren u shpërndanë Bibla pastorëve, drejtuesve të kishave dhe personave të tjerë në zonat e prekura nga sulmet terroriste, si edhe udhëheqësve tradicionalë të një zone me shumicë myslimane.
Njëri prej banorëve tregon: ‘‘Kur ndodhën sulmet, ikëm mes shkurreve pa marrë asgjë me vete. Shtëpia jonë u dogj dhe shumë gjëra u shkatërruan. Humba materialet e shkollës, rrobat, madje edhe Biblën e vogël që babai lexonte me ne çdo mbrëmje. Që nga ajo ditë tragjike, jeta ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për mua dhe gjyshen time, sepse gjatë sulmit u vranë edhe babai, edhe nëna ime. Humbëm pothuajse gjithçka dhe nuk kishim para as për nevojat më të domosdoshme, aq më pak për të blerë një Bibël tjetër. ’’
‘‘Fjala e Zotit ka qenë gjithmonë burimi im i forcës, i ngushëllimit dhe i inkurajimit, sidomos në kohë të vështira’’, thotë një nga personat që morën një Bibël. ‘‘Kur mbajta sërish një Bibël në duar, m’u kujtua se Zoti është ende me ne dhe se Krijuesi ynë nuk na ka harruar. ’’
Një besimtar tjetër, nga i cili dëgjuam, e humbi Biblën gjatë sulmeve. Ai u rrëmbye dhe u mbajt në robëri për disa javë. Dhurata e një Bible të re i solli atij shpresë dhe guxim.
Pavarësisht rreziqeve me të cilat përballen të krishterët e përndjekur në Nigeri, drejtuesit e shërbesave janë kujdesur për bashkësitë e tyre dhe vazhdojnë të përhapin Ungjillin. Ata kanë kërkuar të lutemi për drejtuesit që shërbejnë në zona të pasigurta të Nigerisë dhe që vazhdojnë ta përhapin Ungjillin me guxim e përkushtim. / Global Christian Relief














