Më 22 nëntor 2026 shënohen 118 vjet nga mbyllja e punimeve të Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike që hodhi themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe hapi një kapitull të ri për arsimin dhe kulturën shqiptare.
I mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, Kongresi mblodhi 50 delegatë nga vise të ndryshme shqiptare të cilët punuan për të përcaktuar një alfabet të përbashkët, që shqiptarët të mund të shkruanin e të lexonin shqip, kudo që jetonin. Gjergj Qiriazi ishte këshilltari kryesor i klubit “Bashkimi” dhe nismëtari kryesor i Kongresit.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Parashqevi Qiriazi, mësuese dhe veprimtare e arsimit kombëtar, e cila përfaqësoi Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës. Ajo ishte e vetmja grua pjesëmarrëse në Kongres.

Një vit më pas në vitin 1909, Parashqevi Qiriazi botoi një abetare me alfabetin e ri shqip. Libri quhej ‘‘Abetare për shkollat e para‘‘, me 32 faqe që u shtyp në shtypshkronjën ‚‘‘Bashkimi i Kombit‘‘ në Manastir. Abetarja u ribotua në vitin 1911.
Sipas Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, në fund të Kongresit, u nderua Shoqëria Biblike. Gjergj Qiriazi raportoi: ”Jam shumë i kënaqur të them se pothuaj të gjithë delegatët e pranishëm në Kongres kanë shprehur mirënjohjen e tyre të madhe, duke shtuar se ndihen borxhlinj ndaj Shoqërisë Biblike për gjithçka që ka bërë për kombin…, sepse ajo ka sakrifikuar shumë për të ndriçuar kombin. Shqiptarët mirënjohës nuk do ta harrojnë kurrë veprimtarinë e kësaj shoqërie, sepse në një kohë kur ndalohej çdo libër tjetër në gjuhën shqipe, vetëm Shoqëria Biblike arriti të qarkullonte Biblën në gjuhën tonë amtare”.
Kontributi i Kongresit të Manastirit dhe i figurave që punuan për gjuhën shqipe mbetet një trashëgimi e çmuar për brezat. Historia e këtij Kongresi dëshmon se përpjekjet për arsimimin dhe ndriçimin e shqiptarëve kanë qenë fryt i bashkëpunimit të shumë njerëzve dhe institucioneve.













