Esmeralda Isehiti sjell një vepër të frymëzuar nga përjetimet personale të besimit, duke ftuar lexuesit të qëndrojnë të palëkundur dhe të thellojnë marrëdhënien e tyre me Zotin Jezus.
“Ne mund të bëjmë shumë gjëra në Tokë, por asgjë nuk do të mund të jetë më e madhe sesa njohja dhe marrëdhënia jonë me Zotin Jezus.”Ky është mesazhi që qëndron në zemër të librit “Pena e Vajosur”, me autore Esmeralda Isehiti, një vepër që e vendos besimin dhe marrëdhënien personale me Zotin në qendër të librit.
I përbërë nga 144 faqe, libri përmban shkrime në formë proze, të cilat kanë lindur nga një marrëdhënie personale me Zotin dhe nga përjetime të ndryshme të jetës së autores.
Këto shkrime nuk janë thjesht mendime të hedhura në letër, por mbartin edhe dëshmi personale, për mënyrën se si këto mesazhe dhe fjalë të caktuara kanë ardhur në zemrën e saj dhe se si e kanë ndihmuar në situata të ndryshme të jetës së saj.
Ky libër është për këdo që dëshiron të inkurajohet, të nxitet për të qëndruar në besim, të gjejë forcë në periudha të ndryshme të jetës dhe për këdo që dëshiron të thellohet në marrëdhënien e tij personale me Zotin.

“Pena e Vajosur” vjen kështu si një ftesë për tu ndalur për pak çaste nga ritmi i përditshëm, për të reflektuar mbi atë që ka vërtet rëndësi dhe për të kujtuar se arritjet tokësore, sado të mëdha të jenë, nuk mund të krahasohen me vlerën e njohjes së Zotit Jezus.














