Shqipëria pritet të përfshihet nga reshjet e dëborës. Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, gjatë së hënës 23 nëntor 2026, reshjet në zonat veriore dhe lindore të vendit do të jenë në formë dëbore, në lartësitë mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit.
Ndërkohë, në Kosovë, sipas Meteo Ballkan, drejt fundit të episodit të reshjeve mund të ketë reshje dëbore lokalisht edhe në Rrafshin e Kosovës.
I ftohti ka sjellë reshje dëbore në zonat malore të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Reshjet janë regjistruar në orët e para të së hënës, më 23 nëntor 2026, në zonat malore të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në Kroaci, stacioni meteorologjik i Puntijarkës, në malin Medvednica, pranë Zagrebit, raportoi reshje të dendura dëbore në orën 01:00, kur temperatura zbriti në -1,4°C. Në të njëjtën kohë, në qytetin e Zagrebit u regjistruan reshje shiu.
Reshjet e dëborës u shfaqën edhe në malin Bjelašnica, pranë Sarajevës, në Bosnjë-Hercegovinë, rreth orës 04:00. Shërbimi meteorologjik parashikoi gjithashtu reshje dëbore në zonat malore të Hercegovinës gjatë orëve të paradites.














