Një mbishkrim i lashtë, që daton rreth 2,800 vjet më parë, përbën një nga dëshmitë më të rëndësishme arkeologjike për dinastinë e mbretit David, të përmendur në Bibël.
Gërmimet drejtoheshin nga arkeologu izraelit Avraham Biran. Zbulimi u bë në vitin 1993 në Tel Dan, në veri të Izraelit, ku arkeologët gjetën fragmentin e parë të një monumenti prej bazalti me mbishkrim. Një vit më vonë, në të njëjtin vend, u zbuluan edhe dy fragmente të tjera.
Ky lloj monumenti prej guri, i njohur si stele, përdorej në lashtësi për të gdhendur mbishkrime, ligje, njoftime dhe përkujtime të fitoreve ushtarake apo ngjarjeve historike.
I shkruar në gjuhën aramaike të lashtë dhe që daton nga shekulli IX para Krishtit, mbishkrimi përshkruan fitoret ushtarake të një mbreti arameas dhe përmend shprehjet Mbreti i Izraelit dhe Shtëpia e Davidit. Kjo e fundit interpretohet nga studiuesit si referencë ndaj dinastisë mbretërore të Judës, e lidhur me Davidin e bibles.
Zbulimi përbën një dëshmi të rëndësishme edhe jashtë teksteve biblike, duke mbështetur historikisht ekzistencën e një dinastie mbretërore të njohur si Shtëpia e Davidit.
Mbreti David është një nga figurat më të rëndësishme në Bibël. Ai ishte mbreti i dytë i Izraelit dhe njihet si njeriu që kishte një zemër të lidhur me Zotin.














