Kompania Canva njoftoi një ristrukturim të madh që prek 1,271 punonjës, ose 22% të stafit global. Disa prej punonjësve do të ndryshojnë pozicion, disa do të zhvendosen dhe të tjerë do të largohen nga kompania. Numri i saktë i largimeve nuk është bërë publik.
Bashkëthemeluesja dhe drejtoresha ekzekutive, Melanie Perkins, e cilësoi këtë si vendimin më të vështirë në historinë 13-vjeçare të kompanisë.
Vendimi vjen në një moment kur kompania australiane e dizajnit po përballet me ngadalësimin e rritjes dhe ndryshimet e shpejta teknologjike që po transformojnë industrinë kreative.
Sipas deklaratës zyrtare, ristrukturimi vjen pas një periudhe kur Canva ka përjetuar ngadalësimin e rritjes për herë të parë në një dekadë. Kompania synon të thjeshtojë strukturën organizative, të bashkojë ekipet e produkteve, rritjes dhe platformës, si dhe të përmirësojë bashkëpunimin mes punonjësve.
Canva ka njoftuar gjithashtu masa mbështetëse për punonjësit që do të largohen, përfshirë të paktën gjashtë muaj pagë, mbulim shëndetësor deri në 12 muaj në vendet ku ofrohet ky përfitim dhe ndihmë për gjetjen e një pune të re.
Punonjësit që largohen do të mund të mbajnë edhe kompjuterët e tyre të punës. Kompania ka krijuar gjithashtu një fond që ofron grante prej 10 mijë dollarësh amerikanë për ata që dëshirojnë të nisin një biznes apo projekt të ri.














