Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple prezantoi në Los Angeles më 28 tetor 2026, modelet e reja MacBook Pro. Për herë të parë këto modele vine me ekran me prekje, teknologji OLED dhe një dizajn më të hollë e më të lehtë.
Modelet e reja vijnë në dy madhësi, 14 dhe 16 inç. Përdoruesit mund të ndërveprojnë drejtpërdrejt me ekranin, të lëvizin dhe ndryshojnë madhësinë e dritareve, të transferojnë dokumente mes aplikacioneve, të shfletojnë faqet e internetit me gishta apo të zmadhojnë fotografitë përmes gjesteve me prekje.
MacBook Pro 14-inç me ekran me prekje fillon nga 2,899 dollarë, ndërsa versioni 16-inç nis nga 3,399 dollarë. Të dy modelet kushtojnë 400 dollarë më shumë sesa versionet e krahasueshme pa ekran me prekje. Ndërsa çmimi i modelit 16-inç mund të arrijë deri në 14,549 dollarë nëse klienti zgjedh konfigurimin më të avancuar.
Vetëm zgjerimi i hapësirës së ruajtjes nga 2 TB në 16 TB kushton 7,000 dollarë shtesë, ndërsa rritja e memories nga 48 GB në 128 GB shton edhe 2,000 dollarë të tjerë. Opsioni i xhamit nano-texture kushton 150 dollarë.
Apple ka prezantuar gjeneratën e re të MacBook Pro, si pajisje të avancuara për fotografë, montazhierë, dizajnerë, programues dhe profesionistë të tjerë të industrive kreative.
Procesorët M5 Pro dhe M5 Max premtojnë performancë më të lartë në përpunimin e grafikës, videove dhe aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale, ndërsa kompania deklaron se autonomia e baterisë mund të arrijë deri në 24 orë përdorim, në varësi të konfigurimit.
Shitjet në dyqane dhe dorëzimet e para nga Apple pritet të nisin më 6 nëntor 2026.














