Organizata Botërore e Shëndetësisë, deklaroi se nuk pret një shpërthim më të gjerë të virusit Shamonda, pas vdekjes së një burri në Francë, në rastin e parë të dokumentuar të infektimit të njeriut nga ky virus.
Sipas zëdhënësit të OBSH-së, Christian Lindmeier, informacionet e disponueshme dhe njohuritë mbi viruset e ngjashme sugjerojnë se rasti në Francë është i izoluar.
Për momentin përhapja e mëtejshme konsiderohet e pamundur, megjithëse organizata nuk ka përgatitur ende një vlerësim zyrtar të rrezikut. Deri më tani, virusi Shamonda ishte zbuluar vetëm te kafshët, përfshirë gjedhët dhe kuajt.
Dyshohet se burri në Francën lindore u infektua nga një insekt i vogël pickues, i ngjashëm me mushkonjën. Infeksione të kafshëve me këtë virus ishin raportuar më herët gjatë vitit në të njëjtin rajon.
Sipas OBSH-së, transmetimi i viruseve nga këta insekte priret të ulet gjatë stinëve më të ftohta. Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se, bazuar në të dhënat aktuale, rreziku i një përhapjeje të gjerë te njerëzit mbetet i ulët.














