Më 26 tetor 2026, Instagram njoftoi testimin e një formati të ri që lejon publikimin e videove deri në 90 minuta.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Netflix, Disney dhe platforma të tjera po zgjerojnë oferten e podcasteve dhe videove nga krijues të ndryshëm, në përpjekje për të tërhequr më shumë orë shikimi nga konsumatorët dhe për të konkurruar me gjigantin e argëtimit YouTube!
‘‘Ajo që do të mund të bëni tani është kjo: kur shihni një fragment nga një podkast që ju pëlqen, thjesht mund të klikoni dhe të vazhdoni ta shikoni ose të shihni videon e plotë. Do të mund të hyni më thellë në përmbajtje dhe ta shihni të gjithën, sepse krijuesit do të kenë mundësinë t’i lidhin këto Reels me videon e tyre të plotë”, tha Tessa Lyons, përfaqësuese e Instagram.
Instagram ka nisur testimin e videove deri në 90 minuta me një grup të kufizuar krijuesish në SHBA, pas testimeve fillestare në Brazil. Ndërkohë, kompania po punon edhe për zgjerimin e funksionit “Series”, që mundëson publikimin e videove në seri, si dhe po teston mënyra të reja për shfaqjen e përmbajtjes në televizor.
Një nga sfidat për Instagramin dhe platformat e tjera në konkurrencën me Youtube ka qenë përballja me marrëveshjet fitimprurëse të ndarjes së të ardhurave të kësaj platforme. YouTube u ofron krijuesve të kualifikuar 55% të të ardhurave neto nga reklamat për videot e gjata në YouTube, duke u siguruar një model të konsoliduar fitimi nga përmbajtja dhe duke i ndihmuar ata të lidhin marrëveshje me markat.














