Roli i komuniteteve fetare në mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve ishte në qendër të një takimi të zhvilluar në Elbasan, në kuadër të nismës “Kultura e Takimit: Dialogu Ndërfetar në Veprim për Mbrojtjen e Klimës”.
Pastori Ilir Isaraj, kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, theksoi se institucionet fetare kanë një rol të rëndësishëm në edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e natyrës.
Sipas tij, vlerat morale dhe fetare mund të shërbejnë si një bazë e fortë për të nxitur përgjegjësinë individuale dhe kolektive ndaj mjedisit.
Mirela Gjoni, përfaqësuese e Kishës Protestante, solli në vëmendje shqetësimet për ndotjen e mjedisit dhe ndikimin e mundshëm të saj në shëndetin e qytetarëve. Ajo u ndal veçanërisht te sëmundjet onkologjike dhe shëndeti i grave, duke ngritur nevojën për një vëmendje më të madhe ndaj këtyre problematikave.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, institucioneve vendore dhe shoqërisë civile.
Diskutimet u përqendruan gjithashtu te përfshirja e besimtarëve në nismat mjedisore, edukimi i të rinjve dhe roli i grave lidere në komunitetet fetare.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Prefekturës së Qarkut Elbasan, në kuadër të Democracy Week, dhe u moderua nga Dr. Rudina Çollaku, drejtoreshë e Woman Center for Development and Culture Albania. Nisma zbatohet nga kjo organizatë në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan dhe Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar, me mbështetjen e KAICIID.
Rekomandimet e dala nga takimi pritet të përfshihen në një udhëzues praktik, me synimin që bashkëpunimi ndërfetar të përkthehet në veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit.














