Pothuajse tetë në dhjetë të anketuar në Shqipëri e konsiderojnë përdorimin e drogave një problem serioz në zonën ku jetojnë. Sipas anketës së Agjencisë së Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA), 38% e cilësuan atë si problem shumë serioz dhe 41% si problem serioz.
Vetëm 12% mendojnë se nuk është një problem shumë serioz dhe 5% se nuk përbën aspak problem.
Shqetësimi i lartë shoqërohet edhe me perceptimin se përdorimi i drogave është përhapur më shumë vitet e fundit. Rreth 34% e shqiptarëve mendojnë se konsumi i lëndëve narkotike në zonën e tyre është rritur shumë krahasuar me pesë vite më parë, ndërsa 30% vlerësojnë se është rritur disi.
Edhe trafikimi i drogave shihet si problem serioz në zonën ku jetojnë nga 79% e të anketuarve në Shqipëri, krahasuar me 60% të të anketuarve në Bashkimin Evropian.
Rezultatet e anketës u publikuan më 12 nëntor 2026. Në të morën pjesë gjithsej 95, 883 persona të moshës 15 vjeç e lart. Intervistat u zhvilluan nga 24 qershori deri më 16 korrik 2026.
Në Shqipëri nuk ekziston një regjistër zyrtar i saktë shtetëror, por organizatat e shëndetit publik dhe qendrat e rehabilitimit vlerësojnë se numri i përdoruesve të drogave lëviz nga 60,000 deri në rreth 100,000 persona.














