Sot, bota po përjeton një transformim të madh teknologjik, ku Inteligjenca Artificiale (IA) ka hyrë në tregun e punës, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit punojnë, komunikojnë dhe zhvillojnë profesionet e tyre. IA-ja po ndikon në shumë sektorë, duke automatizuar procese, duke rritur produktivitetin dhe duke krijuar mundësi të reja, por njëkohësisht duke ngritur shqetësime për të ardhmen e vendeve të punës. Kjo situatë na shtyn të reflektojmë mbi një pyetje: A e zëvendëson dot Inteligjenca Artificiale një dizajner grafik? A ka ende dizajneri një rol të rëndësishëm?
Po, IA-ja mund ta zëvendësojë një dizajner grafik për disa punë rutinë, si përshtatja e një postimi në disa formate, krijimi i varianteve të një baneri ose heqja e sfondit nga një foto. Nëse një vend pune përbëhet kryesisht nga detyra të tilla, kompania mund të ketë nevojë për më pak staf.
Nëse një biznes ka nevojë kryesisht për postime të thjeshta, banera dhe përshtatje formatesh, një punonjës mund t’i bëjë këto me ndihmën e IA-së dhe biznesi mund të mos punësojë një dizajner të dedikuar. Kur puna kërkon krijimin e një identiteti vizual dhe zbatimin e tij në shumë materiale, dizajneri ka ende një rol të rëndësishëm.
Në raportin Future of Jobs 2025, punëdhënësit e anketuar nga Forumi Ekonomik Botëror i renditën dizajnerët grafikë ndër profesionet ku pritet rënie e punësimit deri në vitin 2030.
Ndërsa raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës vlerëson se, për shumicën e profesioneve të ekspozuara ndaj IA-së gjeneruese, pasoja më e mundshme është ndryshimi i detyrave brenda profesionit.
Stefan Sagmeister, dizajner grafik austriak, tha në një intervistë për Communication Arts, përpara konferencës Digital Design Days 2026 në Milano: “Nëse beson se dizajni ka të bëjë me prodhimin më të shpejtë dhe më të lirë, atëherë po, IA-ja është një kërcënim ekzistencial.”
Në të njëjtën intervistë, ai tha se e ka përdorur IA-në për vizualizime dhe për organizimin e postës elektronike. Sipas tij kur dizajni synon t’u përgjigjet nevojave njerëzore, IA-ja mund të përdoret si një material tjetër me të cilin punon dizajneri.














