Donald Trump konfirmon se SHBA-ja ka kryer sulme të reja ndaj Iranit

Forcat amerikane kanë kryer sulme të kufizuara ajrore ndaj një sistemi kundërajror iranian në ishullin Keshm në Ngushticën e Hormuzit, konfirmoi sot Presidenti amerikan.

Donald Trump e përshkroi operacionin si “të vogël”, duke shtuar se forcat amerikane shkatërruan, brenda minutash, një sistem të vogël kundërajror të Iranit.

“E shkatërruan për 15 minuta, ndoshta për pesë”, tha Trump për gazetarët në Florida, pa treguar se ku saktësisht u kryen sulmet dhe pa ofruar detaje të tjera operacionale. Deklarata e tij u bë pasi mediat raportuan për shpërthime në ishullin Keshm.

Ishulli strategjik Keshm ndodhet në hyrje të Ngushticës së Hormuzit, që është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë.

Sipas gazetës The Wall Street Journal, në këtë ishull ndodhen një objekt i madh nëntokësor për raketa, një bazë detare dhe një impiant i madh për shkripëzimin e ujit, Ishulli ka qenë në shënjestër të forcave amerikane në fazat e mëhershme të luftimeve, teksa zyrtarët amerikanë kanë diskutuar edhe mundësinë e marrjes së kontrollit të tij.

Ndërkaq, presidenti Trump tha se Uashingtoni po vazhdon kontaktet me Teheranin. “Ne po bisedojmë me Iranin. Kemi qenë në kontakt. Ata, me dëshpërim, duan një marrëveshje”.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit. Presidenti Trump vazhdimisht ka përsëritur se qëllimi kryesor i fushatës ushtarake amerikane është për të penguar Iranin që të posedojë armë bërthamore.

Prosit Librin Online