Për katër ditë me radhë, të rinj nga i gjithë vendi do të bëhen bashkë në Durrës, në një konferencë ku besimi, miqësia dhe përvojat e përbashkëta do të jenë në qendër të vëmendjes.
“Të rrënjosur” është tema e konferencës rinore të organizuar nga Kisha ungjillore “180 Gradë”, e cila mbahet në datat 25-28 nëntor 2026, në ambientet e Hotel Fafa.
Për të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç, organizatorët synojnë të krijojnë një hapësirë ku diskutimet, rrëfimet dhe dëshmitë të shërbejnë si mundësi për rritje shpirtërore, forcimin e besimit dhe krijimin e miqësive të reja.
Konferenca shënon këtë vit 10-vjetorin e saj, duke vijuar një rrugëtim që synon t’i afrojë të rinjtë me njëri-tjetrin dhe të thellojë marrëdhënien e tyre me Zotin.
Në këtë edicion folës nga Shqipëria do të jenë Pastor Edi Morava, Drejtues dhe iniciator i Konferencës, Pastorët Edmond dhe Sabina Lamnica dhe Pastor Ilir Koçi. Folës nga Kosova, Pastor Driton Gashi si dhe folësit nga Mbretëria e Bashkuar Pastorët Liam dhe Emily Parker.

Krahas tyre, programi do të përfshijë edhe përvoja personale e profesionale nga figura të njohura të medias dhe biznesit në Shqipëri. Programi i konferencës do të përfshijë gjithashtu momente adhurimi dhe lutjeje.
Ndër vite, kjo konferencë ka tërhequr pjesëmarrjen e qindra të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Përgjatë viteve, ky organizim ka dëshmuar se është më shumë sesa një konferencë e zakonshme, duke e vendosur brezin e ri në qendër të saj. Ajo është kthyer në një hapësirë ku të rinjtë jo vetëm takohen por ku hidhen themelet për të ardhmen, për një brez të fortë, me identitet dhe vlera.














