Amerikanët po votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, në lojë kontrolli i Kongresit dhe e ardhmja politike e Trump

Amerikanët po votojnë sot 3 nëntor 2026, për zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë se kush do të kontrollojë Kongresin dhe sa hapësirë do të ketë presidenti Donald Trump për të çuar përpara axhendën e tij gjatë dy viteve të fundit të mandatit.

Në garë janë të gjitha 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet në Senat.

Qytetarët amerikanë me të drejtë vote do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë në dy dhomat e Kongresit. Përveç zgjedhjeve për Kongresin, në disa shtete votohet edhe për guvernatorët.

Sipas mediave amerikane, më shumë se 54 milionë votues kanë hedhur tashmë votën e tyre përmes votimit të hershëm, si personalisht, ashtu edhe me postë.

Ndryshe nga zgjedhjet presidenciale, në zgjedhjet e mesmandatit nuk zgjidhet presidenti, por votohet për përbërjen e Kongresit, institucioni që miraton ligjet dhe mbikëqyr veprimtarinë e administratës amerikane.

Zgjedhjet e mesmandatit shihen gjithashtu si një test për mbështetjen që gëzon presidenti Donald Trump në mesin e elektoratit amerikan, rreth dy vite pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Rezultati do të tregojë edhe nëse republikanët do të arrijnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Nëse demokratët fitojnë shumicën në njërën apo të dyja dhomat, administrata Trump mund të përballet me më shumë vështirësi në miratimin e ligjeve dhe zbatimin e politikave të saj. Për këtë arsye, gara konsiderohet një moment kyç për të ardhmen politike të presidentit dhe balancën e pushtetit në Uashington.

Prosit Librin Online