Predikuesi amerikan Franklin Graham ne një intervistë për Sean Hannity, foli për rikthimin e Jezu Krishtit, inteligjencën artificiale dhe profecitë biblike.
Franklin Graham shprehu bindjen se rikthimi i Jezu Krishtit është afër, duke përmendur inteligjencën artificiale dhe globalizimin si shenja që, sipas tij, tregojnë drejt krijimit të një sistemi të vetëm botëror, të parashikuar në profecitë biblike.
Megjithëse pranoi se koha e saktë e rikthimit të Krishtit mbetet e panjohur, Graham theksoi domosdoshmërinë e pendimit personal dhe të një jete të mbështetur në besim, ndërsa të krishterët presin vendosjen e mbretërimit të Jezu Krishtit.
Duke i nxitur besimtarët të reflektojnë mbi jetën e tyre, ai u bëri thirrje të rrëfejnë çdo mëkat që nuk e kanë pranuar deri më tani dhe t’ia kushtojnë vitet e mbetura të jetës përhapjes së mesazhit të Jezu Krishtit, me synimin për t’i afruar njerëzit në mbarë botën tek ai.














