Një ekip arkeologësh është plotësisht i bindur, se ka zbuluar qytetin biblik të Betsaidës, qytetin e përmendur në Ungjij, ku Jezusi kreu mrekulli.
Dr. Steven Notley, drejtuesi akademik i gërmimeve dhe ekipi i tij kanë kaluar dhjetë vitet e fundit duke kryer gërmime mes rrënojave të këtij vendbanimi historik, i njohur sot me emrin El-Araj, pranë Detit të Galilesë, Izrael.
Arkeologu Notley shprehet plotësisht i bindur se vendi është Betsaida. Sipas Ungjijve, Betsaida lidhet me shërimin e një të verbri dhe ushqimin e mijëra njerëzve nga Jezusi.
Ekipi arkeologjik i Bethsaida-Julias zbuloi llamba vaji, mjete kozmetike, monedha dhe dhjetëra objekte të tjera përgjatë brigjeve të Detit të Galilesë. Këto zbulime përforcojnë teorinë e tyre të kahershme se ky vend ka qenë dikur qyteti antik ku, sipas rrëfimeve biblike, Jezusi kreu një sërë mrekullish.
Arkeologët zbuluan gjithashtu enë prej guri gëlqeror dhe disa llamba të paprekura të periudhës herodiane, të cilat prodhoheshin vetëm në Jerusalem përpara vitit 70 pas Krishtit. Sipas blogut të ekspeditës, këto objekte përbëjnë dëshmi të qarta të pranisë së një popullsie hebraike në qytet gjatë shekullit 1, pas Krishtit, periudhë kur Betsaida u shndërrua në një qytet të organizuar sipas modelit romak, të quajtur Julias.
Zbulimet e jashtëzakonshme arkeologjike duket se vënë në pikëpyetje pikëpamjen se banorët e Galilesë ishin fshatarë të varfër dhe analfabetë. Përkundrazi, ato sugjerojnë se qytetet dhe fshatrat që Jezusi vizitoi ishin të zhvilluara dhe të begata, edhe nën pushtimin romak. Sezoni i suksesshëm i gërmimeve përforcon pretendimet e bëra vite më parë nga Notley, sipas të cilit ky vend arkeologjik është qyteti i humbur i Betsaidës.
“Gjithçka që nxjerrim nga toka e konfirmon dhe e përforcon këtë identifikim. Asgjë nga ato që kemi zbuluar deri më tani nuk e vë aspak në dyshim atë”, deklaroi Notley për Daily Mail.














