Mbi 700 studentë në Appalachian State University, SHBA, vendosin të ndjekin Jezusin!

Shërbesa e krishterë UniteUS, vizitoi Universitetin Shtetëror të Appalachian në SHBA, ku sipas organizatorëve, më shumë se 700 studentë morën vendimin për të ndjekur Jezusin.

Takimi u zhvillua në qendrën Holmes Convocation Center, ku folëset Tonya Prewett dhe Jennie Allen ndanë mesazhin e Ungjillit me një numër të madh studentësh të etur për të njohur më shumë Perëndinë.

Sipas CBN News rreth 100 studentë u pagëzuan menjëherë pas përfundimit të aktivitetit. Studentët që morën pjesë në këtë mbrëmje ndanë përjetimet e tyre në rrjetet sociale. “Nuk ka asgjë më të bukur sesa të shohësh njerëz që e shpallin publikisht besimin e tyre përmes pagëzimit”, shkroi një prej tyre. Një tjetër student u shpreh: “Prania e Perëndisë u ndje aq fuqishëm mbrëmë. Ishte mbrëmja më e bukur!”

Studentë të tjerë e përshkruan aktivitetin si “një mbrëmje që të ndryshon jetën” dhe “një mundësi të mrekullueshme për t’u mbledhur së bashku e për të adhuruar Atin tonë Qiellor”.

Nga një kampus universitar në tjetrin, UniteUS ka krijuar mundësi që studentët të afrohen me Perëndinë, duke tërhequr çdo herë një pjesëmarrje dhe interes të jashtëzakonshëm. Që prej organizimit të takimit të parë në Universitetin Auburn, më 12 shtator 2023, kjo nismë është shndërruar në një lëvizje zgjimi frymëror në mbarë Shtetet e Bashkuara.Deri më tani, ajo ka përfshirë më shumë se 24 kampuse universitare, ndërsa mbi 100 mijë studentë kanë marrë pjesë në këto takime, ku, sipas organizatorëve, kanë përjetuar fuqishëm praninë e Perëndisë.

Takimet e radhës janë planifikuar të zhvillohen më 27 tetor në Universitetin e Alabamës Jugore dhe më 10 nëntor në Universitetin Belmont, në Nashville.

Burimi: CBN News

Prosit Librin Online