Persona të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve që po merrnin pjesë në një ceremoni mortore në një kishë ortodokse greke në Jordani. 9 të vrarë dhe 40 të plagosur është bilanci i këtij sulmi deri tani.
Ngjarja ndodhi në kishën ortodokse në fshatin Hamoud, në rajonin e Karakut. Dëshmitarët treguan se të shtënat shkaktuan panik mes pjesëmarrësve.
Autoritetet jordaneze e cilësuan ngjarjen si akt terrorist ndërsa mbreti i Jordanisë Abdullah II, dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve.
Një dëshmitar i tha televizionit shtetëror Al-Mamlaka se njëri prej sulmuesve mbante një automatik AK-47 dhe se të shtënat zgjatën disa minuta.
Një tjetër dëshmitare konfirmoi se sulmi vijoi për një kohë të gjatë. Sipas saj, personat e armatosur bërtisnin “Allahu Ekber” ndërsa qëllonin drejt oborrit të kishës, ku ndodhej shumica e njerëzve.
“Ishte një masakër… Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të dilja e gjallë prej andej”, i tha ajo CNN, duke treguar se, për të mbijetuar, ishte detyruar të fshihej pas altarit së bashku me persona të tjerë që merrnin pjesë në ceremoninë mortore.
Deri në raportimin e fundit, asnjë organizatë nuk kishte marrë përgjegjësinë për sulmin. Jordania shpalli tri ditë zie kombëtare për këtë ngjarje të rëndë me 9 të vrarë dhe 40 të plagosur.














