Sudan: Zbulohet në një kishë mesjetare fragmenti biblik i lutjes së Anës, i shkruar në greqisht

Një zbulim i ri arkeologjik në Dongolën e Vjetër, në veri të Sudanit, ka nxjerrë në dritë fragmente suvaje me mbishkrime biblike në gjuhën greke, mes të cilave edhe një pjesë të lutjes së Anës, nënës së profetit Samuel.

Arkeologët e një ekspedite të përbashkët sudanezo-polake kanë zbuluar mbetje të një kishe mesjetare, të zbukuruar me piktura murale dhe mbishkrime në greqisht, në kompleksin arkeologjik të Dongolës së Vjetër (Old Dongola), në veri të Sudanit. Zbulimi u bë i njohur në nëntor 2026 nga Qendra Polake e Arkeologjisë Mesdhetare pranë Universitetit të Varshavës.

Kisha ndodhej në katin e sipërm të një ndërtese të ndërtuar pranë Kishës së Madhe të Jezusit, një prej monumenteve më të rëndësishme të krishterimit mesjetar në Nubia.

Gjatë gërmimeve, studiuesit zbuluan gjurmë dekorimesh të pikturuara në muret e kishës, si dhe një numër të konsiderueshëm fragmentesh suvaje të rëna në rrënojat e ndërtesës. Disa prej këtyre fragmenteve përmbanin mbishkrime në gjuhën greke, të identifikuara si pjesë të këngëve biblike dhe tekste lutjesh.

Lutja e Anës, një tekst biblik u identifikua nga Dr. Agata Deptuła, epigrafiste e ekspeditës dhe studiuese pranë Qendrës Polake të Arkeologjisë Mesdhetare të Universitetit të Varshavës. Sipas saj, teksti është shkruar në greqisht, me një shkrim të kujdesshëm libror dhe me shkronja shumë të vogla, rreth gjysmë centimetri të larta.

Lutja e Anës është një nga tekstet e njohura biblike të falënderimit dhe lavdërimit të Perëndisë. Ajo gjendet në Bibël, te 1 Samuelit 2:1-10.

Ky zbulim i ri shton një tjetër dëshmi të rëndësishme për historinë e krishterimit në Afrikë. Studiuesit theksojnë se në Dongolën e Vjetër janë zbuluar edhe më parë mbishkrime dhe tekste që lidhen me Librin e Psalmeve.

Burimi: Qendra Polake e Arkeologjisë Mesdhetare, Universiteti i Varshavës (PCMA)

Prosit Librin Online