Një sondë e nisur gati 50 vjet më parë vazhdon të na dërgojë të dhëna nga një largësi që dritës i duhet një ditë për ta përshkuar. Këtë muaj, Voyager 1 pritet të shënojë një tjetër rekord në eksplorimin hapësinor.
Sipas NASA-s, më 18 nëntor 2026, në orën 11:16 me orën e Shqipërisë, Voyager 1 pritet të arrijë rreth 25,9 miliardë kilometra larg Tokës. Ajo do të bëhet objekti i parë i ndërtuar nga njeriu që arrin këtë largësi nga planeti ynë. Nga ajo distancë, një sinjali radio do t’i duhen rreth 24 orë për të mbërritur nga Toka te sonda, ose anasjelltas.
NASA e nisi Voyager 1 më 5 shtator 1977 për të studiuar nga afër Jupiterin dhe Saturnin. Sonda ishte projektuar fillimisht për të funksionuar pesë vjet. Ajo hyri në hapësirën ndëryjore në vitin 2012 dhe vazhdon të dërgojë të dhëna gati gjysmë shekulli pas nisjes.
Voyager 1 furnizohet me energji elektrike nga gjeneratorë që shndërrojnë në elektricitet nxehtësinë e çliruar nga zbërthimi radioaktiv i plutoniumit. Me kalimin e viteve, fuqia që prodhojnë këta gjeneratorë bie, ndaj NASA ka fikur disa instrumente për të kursyer energji.
Edhe pasi sinjali i saj i fundit të mbërrijë në Tokë, Voyager 1 do të vazhdojë udhëtimin në hapësirën ndëryjore.
.














