Më shumë se 65, mijë refugjatë dhe azilkërkues në Jemen ndodhen në kushte të vështira. Situata humanitare po përkeqësohet.
Kështu paralajmëroi Agjencia e OKB-së për refugjatët e cila vuri në dukje, se luftimet në rritje, vështirësitë ekonomike dhe kufizimet në aksesin humanitar po i lënë mijëra njerëz të përpiqen të mbijetojnë.
“UNHCR është e alarmuar nga kriza humanitare që po përkeqësohet me shpejtësi”, u tha zëdhënësi Matthew Saltmarsh gazetarëve në Gjenevë, duke përmendur pasigurinë, burimet në pakësim dhe çmimet në rritje.
Ai tha se kushtet ishin veçanërisht shqetësuese në kampin e refugjatëve Kharaz në provincën jugperëndimore Lahj, i cili strehon afërsisht 9,500 refugjatë nga Somalia dhe Etiopia.
Edhe pse nuk janë verifikuar viktima midis refugjatëve, bombardimet pranë kampit kanë ndërprerë shërbimet thelbësore dhe kanë kufizuar lëvizjen. Shkollat janë mbyllur, ndërsa shërbimet e ndihmës ligjore dhe dokumentimit janë pezulluar.
Ndërkohë, mbi 134,000 azilkërkues dhe migrantë mbërritën në Jemen nga deti gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, një rritje prej afërsisht 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Jemeni po përballet prej më shumë se një dekade me pasojat e konfliktit të armatosur, krizën ekonomike dhe mungesën e shërbimeve bazë. Vendi, i cili ka vetë miliona njerëz në nevojë për ndihmë humanitare, vazhdon të jetë një rrugë kalimi për migrantët dhe azilkërkuesit, kryesisht nga vendet e Bririt të Afrikës, të cilët përballen me rreziqe të mëdha gjatë udhëtimit.














