Italia miraton ligjin e ri, duke vendosur kufizime dhe kërkon pëlqimin e prindërve për mësimet që trajtojnë seksualitetin dhe identitetin gjinor, ndërsa në arsimin parashkollor dhe fillor këto programe nuk zhvillohen.
Sipas ligjit të ri, shkollat duhet t’i njoftojnë familjet të paktën shtatë ditë përpara çdo aktiviteti të edukimit seksual, duke përfshirë edhe informacion mbi ekspertët ose organizatat e jashtme që marrin pjesë.
Projektligji, i propozuar nga ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, mori miratimin përfundimtar në Senat në qershor të këtij viti, duke shkaktuar kritika nga partitë opozitare, të cilat paralajmëruan se ai mund të kufizojë aksesin e adoleshentëve në informacione të rëndësishme.
Reforma e promovuar nga qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni gjithashtu përjashton edukimin seksual nga kopshtet dhe shkollat fillore. Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, theksoi se ligji respekton të drejtën e prindërve për të vendosur mbi përmbajtjen edukative të fëmijëve të tyre dhe kufizon atë që qeveria konsideron si propagandë të “kulturës gjinore”.
Nga ana tjetër, partitë opozitare dhe aktivistët shprehin shqetësim për një “regresion arsimor”, duke argumentuar se ligji mund të rrisë hendekun midis familjeve me qasje të hapur ndaj edukimit seksual dhe atyre konservatore.
Miratimi i këtij ligji shënon një moment vendimtar në debatin e gjatë italian mbi rolin e familjes dhe shkollës në formësimin e të rinjve.














