Çfarë i mungon karrierës tënde?  Dr. Elida Motro

Kam takuar njerëz që jetojnë në Londër, Athinë, Tiranë dhe New York. Kam takuar CEO, drejtorë bankash, mësues, freelancer dhe profesionistë me dekada eksperiencë.

Dhe pas më shumë se 30 vitesh pune, kam kuptuar një gjë: Njerëzit nuk dështojnë sepse u mungon talenti. Dështojnë sepse u mungon një plan.

Pyetja që bëj shpesh është: Çfarë i mungon karrierës tënde?

Shumica përgjigjen menjëherë: “Më mungojnë paratë”, “Më mungon pozicioni i duhur”, “Më mungojnë njohjet”, “Më mungon vendi i duhur”.

Por pothuajse askush nuk thotë: “Më mungon drejtimi.”

Ky është problemi.

Kam njohur një drejtor banke me 20 vite eksperiencë që priste promovimin e radhës, sikur e ardhmja e tij të varej nga vendimi i dikujt tjetër.

Kam njohur freelancer që punojnë 12 orë në ditë dhe vazhdojnë të paguhen për kohën e tyre, jo për vlerën që krijojnë.

Kam njohur njerëz që numërojnë vitet deri në pension, sikur karriera të ketë një datë skadence.

Nëse po e lexon këtë artikull dhe ndihesh i ngecur, dua të të them diçka që mund të të duket e ashpër:

Nuk je i bllokuar.

Je i përqendruar vetëm në një korsi.

Prej vitesh flas për konceptin tim “Shtëpia në Tokë”. Shumë njerëz e ndërtojnë jetën e tyre mbi një shtyllë të vetme: punën.

Nëse puna shkon mirë, ndihen mirë. Nëse humbin vendin e punës, humbasin identitetin.

Por jeta nuk është një korsi.

“Shtëpia në Tokë” ndërtohet mbi tre korsi: puna dhe të ardhurat, projektet dhe investimet, si dhe dhënia ndaj komunitetit dhe trashëgimia që lëmë pas.

Shumica jetojnë vetëm në korsinë e parë.

Dhe më pas pyesin: “Pse ndihem i ngecur?”

Sepse askush nuk mund të ecë larg me vetëm një këmbë.

Në të 40-at e mia, vendosa të filloja EMI Coaching & Consulting. Mund të kisha menduar se ishte vonë. Por kam mësuar se mosha nuk është problemi.

Problemi është mungesa e vizionit.

Sot shoh njerëz 30-vjeçarë që flasin si të ishin pensionistë dhe 70-vjeçarë që fillojnë projekte të reja.

Karriera nuk matet me vite.

Matet me aftësinë për të vazhduar të ndërtosh.

Një tjetër gabim që shoh shpesh është lidhja e suksesit me gjeografinë.

“Nëse do të isha në Londër…”
“Nëse do të jetoja në Gjermani…”
“Nëse do të punoja diku tjetër…”

Kam një lajm për ty: nëse nuk ke një plan, do ta marrësh me vete problemin tënd kudo që të shkosh.

Qytetet nuk të transformojnë.

Vendimet po.

Prandaj, para se të ankohesh për karrierën tënde, bëji vetes këto pyetje:

– A po paguhem për orët që punoj apo për vlerën që krijoj?
– Çfarë po ndërtoj jashtë vendit tim të punës?
– Nëse nesër humbas punën, kush mbetem unë?
– Në cilën korsi të jetës sime kam harruar të investoj?

Karriera jote nuk ka nevojë për më shumë vite. Ka nevojë për një drejtim.

Dhe ndoshta është koha të ndërtosh “Shtëpinë tënde në Tokë”.

Ndoshta është koha për të lexuar një libër që të sfidon.

Ndoshta është koha për të dëgjuar një podcast që të zgjon.

Ndoshta është koha për një “Kafe M’elidën”.

Sepse, pas më shumë se 30 vitesh duke parë karriera të ngrihen dhe të bien, jam bindur për një gjë:

Nuk të mungon talenti.

Të mungon plani. 

Nga Dr. Elida Motro “EMI Coaching and Consulting”

Prosit Librin Online