A e dini se fjalët që ne shpesh i përmendim ‘‘Zoti të bekoftë dhe të ruajtë‘‘, që gjenden të shkruara në Bibël, u gdhendën në argjend rreth 2 600 vjet më parë?
Dy rrotulla të argjendta u gjetën në vitin 1979, në një dhomë varrimi në Ketef Hinnom, në luginën e Hinomit, në jug të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit. Ato u zbuluan gjatë gërmimeve të një grupi arkeologësh. Mbishkrimet në hebraishten e lashtë janë gdhendur drejtpërdrejt në argjend.
Aty është gdhendur një version i bekimit që gjendet në Bibël te Numrat 6: 24–26 dhe nis me fjalët ‘‘Zoti të bekoftë dhe të ruajtë‘‘.
U deshën rreth tre vjet për t’i hapur dy rrotullat. Kur u gjetën, fletët e holla të argjendit ishin mbështjellë fort. Specialistët e Muzeut të Izraelit i hapën me kujdes, që të mund të lexoheshin mbishkrimet.
Arkeologu Gabriel Barkay i drejtoi gërmimet në Ketef Hinom për shtatë sezone. Këtë e ka treguar vetë ai në një intervistë për revistën Bible and Spade.
Sipas Muzeut të Izraelit, mbishkrimet janë dëshmia më e hershme e njohur e një teksti biblik, rreth 500 vjet më të vjetra se Dorëshkrimet e Detit të Vdekur.
Dy rrotullat e argjendta u prezantuan për herë të parë para publikut në qershor të vitit 1986, në Muzeun e Izraelit në Jerusalem, shtatë vjet pas zbulimit të tyre.
Foto: Bachrach 44 / Wikimedia Commons, licenca CC BY-SA 3.0.














