Sulm terrorist ndaj një kishe në Jordani. 9 të vrarë dhe 40 të plagosur gjatë nje ceremonie mortore

Persona të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve që po merrnin pjesë në një ceremoni mortore në një kishë ortodokse greke në Jordani. 9 të vrarë dhe 40 të plagosur është bilanci i këtij sulmi deri tani.

Ngjarja ndodhi në kishën ortodokse në fshatin Hamoud, në rajonin e Karakut. Dëshmitarët treguan se të shtënat shkaktuan panik mes pjesëmarrësve.

Autoritetet jordaneze e cilësuan ngjarjen si akt terrorist ndërsa mbreti i Jordanisë Abdullah II, dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve.

Një dëshmitar i tha televizionit shtetëror Al-Mamlaka se njëri prej sulmuesve mbante një automatik AK-47 dhe se të shtënat zgjatën disa minuta.

Një tjetër dëshmitare konfirmoi se sulmi vijoi për një kohë të gjatë. Sipas saj, personat e armatosur bërtisnin “Allahu Ekber” ndërsa qëllonin drejt oborrit të kishës, ku ndodhej shumica e njerëzve.

“Ishte një masakër… Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të dilja e gjallë prej andej”, i tha ajo CNN, duke treguar se, për të mbijetuar, ishte detyruar të fshihej pas altarit së bashku me persona të tjerë që merrnin pjesë në ceremoninë mortore.

Deri në raportimin e fundit, asnjë organizatë nuk kishte marrë përgjegjësinë për sulmin. Jordania shpalli  tri ditë zie kombëtare për këtë ngjarje të rëndë me  9 të vrarë dhe 40 të plagosur.

Prosit Librin Online