Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se negociatorët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë rënë dakord të takohen në gjysmën e parë të nëntorit 2026, në përpjekje për të çuar përpara negociatat për përfundimin e luftës.
Zelensky shpreson që takimi në nivel teknik në Abu Dhabi, të pasohet nga një takim mes liderëve të tre vendeve.
“Plani është të takohemi në gjysmën e parë të nëntorit dhe natyrisht, sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai gjatë një lidhjeje me video me institutin amerikan Hudson Institute.
Sipas Rojters, Kreu i shtetit ukrainas bëri të ditur se kishte biseduar me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, pas takimit të tyre me presidentin rus Vladimir Putin në fillim të javës.
Ai theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë garanci të forta sigurie për Ukrainën, si dhe financim për një periudhë 10-vjeçare për të mbajtur ushtrinë funksionale.
Zelensky deklaroi se Kievi është i gatshëm të negociojë për një armëpushim të plotë, por edhe për marrëveshje më të kufizuara që mund të përfshijnë sektorin energjetik ose operacionet detare.
Ai kërkoi gjithashtu përfshirjen e Europës në proces, ndërsa theksoi se çështja e territoreve mbetet një temë e ndjeshme që duhet trajtuar në nivelin e liderëve.














