Sot, 25 tetor 2026, të dielën e fundit të tetorit akrepat e orës u zhvendosën pas për 60 minuta, duke na rikthyer në orën dimërore. Në orën 03.00 të mëngjesit, ora shkoi 02:00.
Kjo do të thotë zgjim më i vonë në mëngjes, dhe më pak orë me dritë. Për disa prej qytetarëve ndryshimi i orës ndikon për mirë, ndërsa për të tjerë, ky ndryshim shkakton probleme në organizimin e ditës dhe aktiviteteve të tyre.
Më 26 mars 2019, Parlamenti Evropian votoi pro heqjes përfundimtare të kalimit nga ora verore në atë dimërore dhe anasjelltas, duke propozuar që kjo të niste nga viti 2021.Nisma mbeti në plan të dytë ndërsa bota përballej me pandeminë e Covid-19.
Vitet e fundit, iniciativa “Time Use Initiative” i ka kërkuar Këshillit të BE-së të miratojë “zonat kohore natyrore”. Deri tani, megjithatë, nuk është marrë asnjë vendim.
Si lindi ideja e ndryshimit të orës?
Në vitin 1895, George Hudson, një burrë nga Zelanda e Re, mendohet të ketë hedhur bazat e kësaj ideje. Ai kërkonte më shumë kohë pas punës për pasionet e tij dhe, duke propozuar ndryshimin e orës me dy orë, shpresonte të kalonte më gjatë jashtë duke kërkuar insekte.
Gjermania ishte vendi i parë që e provoi këtë sistem në vitin 1916, me synimin për të pasur më shumë dritë gjatë orarit të punës.
Më pas, praktika u përhap në vende të tjera evropiane, në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara.
Pas përfundimit të luftës, shumë vende e braktisën ndryshimin e orës. Megjithatë, ai vazhdoi të përdorej në Irlandë, në pjesë të ndryshme të Evropës, në Kanada dhe në SHBA.














