Ndryshimi i përfaqësimit diplomatik të Izraelit në Kosovë, reagon Artur Krasniqi: “Një lajm i keq dhe një thirrje për reflektim”

Pastor Artur Krasniqi, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj ndryshimit të mënyrës së përfaqësimit diplomatik të Izraelit në Kosovë.

Krasniqi e ka cilësuar këtë zhvillim si shqetësues dhe zhgënjyes, duke e nisur reagimin me fjalët: Një lajm i keq për Kosovën dhe një thirrje për reflektim!

Deklarata e plotë e Pastorit Artur Krasniqi:

Një lajm i keq për Kosovën dhe një thirrje për reflektim !

Lajmi i sotëm për vendimin e Izraelit që të mbyllë Ambasaden në Kosovë dhe të ndryshojë mënyrën e përfaqësimit diplomatik në Kosovë, duke e bartur atë ne Tirane, është  një zhvillim shqetësues dhe zhgënjyes.

Edhe pse ky vendim është shpjeguar si pjesë e një riorganizimi të diplomacisë izraelite, personalisht e konsideroj një lajm jo të mirë për Kosovën dhe për marrëdhëniet tona ndërkombëtare.

Nuk besoj se sot është koha të nxitojmë në kërkimin e fajtorëve, të drejtojmë gishtin ndaj njëri-tjetrit apo ta shndërrojmë edhe këtë çështje në një betejë të brendshme politike. Por besoj fuqishëm se është koha të reflektojmë seriozisht se si po i ndërtojmë, si po i trajtojmë dhe si po i ruajmë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë.

Kosova është një shtet i ri, që e ka fituar lirinë dhe e ka ndërtuar shtetësinë edhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të miqve ndërkombëtarë. Ne nuk e kemi luksin t’i trajtojmë këto marrëdhënie me eufori të çastit, me fishkëllima, me etiketime të panevojshme apo me përplasje emocionale që mund të na kushtojnë shumë në planin afatgjatë.

Diplomacia nuk ndërtohet me duartrokitje kur na pëlqen dikush dhe me armiqësi kur nuk pajtohemi me të. Ajo kërkon maturi, dinjitet, mençuri dhe përgjegjësi shtetërore.

Izraeli është një shtet me rëndësi dhe ndikim ndërkombëtar, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në botë. Marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin kanë rëndësi strategjike dhe diplomatike, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që mund të kemi për zhvillimet atje.

Mund të mos pajtohemi me politika apo vendime të një shteti, por kjo nuk do të thotë se duhet ta shndërrojmë mospajtimin në armiqësi ndaj atij shteti apo populli.

Kosova nuk fiton asgjë duke humbur miq. Nuk bëhemi më të fortë duke dobësuar marrëdhëniet tona ndërkombëtare.

Unë do të dëshiroja që Kosova të kishte një prani sa më të fuqishme diplomatike të Izraelit dhe të çdo shteti tjetër mik. Prandaj, çdo ndryshim që ngre shqetësime për nivelin e këtyre marrëdhënieve duhet të merret seriozisht, edhe kur arsyetohet si vendim administrativ. Të jemi të qartë se vendimi është marrë më heret dhe nuk është admistativ por politik.

Sot nuk kemi nevojë për më shumë polarizim. Kemi nevojë për më shumë urtësi kombëtare.

Uroj që institucionet tona të angazhohen për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Izraelin, por edhe me të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Si popull, kemi kaluar shumë për ta fituar lirinë dhe për ta ndërtuar shtetin tonë. Nuk duhet të lejojmë që pakujdesia, retorika e papërgjegjshme apo emocionet e momentit të dëmtojnë atë që është ndërtuar me aq shumë mund dhe sakrificë.

Miqtë ndërkombëtarë nuk duhet vetëm t’i fitojmë, por edhe t’i ruajmë.

Kosova ka nevojë për miq ndërkombëtar dhe kjo nuk është vetëm një shprehje e bukur por një përkushtim ynë i fortë.

Prosit Librin Online